Zogaj, Shkodër
Aty ku pasqyrohet qartë prioriteti i investimeve në infrastrukturë, në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ruajtjes së vlerave natyrore – zhvilluam takimin e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit.
Një pikë me rëndësi të veçantë edhe si portë e re lidhjeje me Malin e Zi, ku natyra, tradita e artizanatit dhe kulinaria lokale marrin vlerë të shtuar përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve.
Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe vendore, si dhe operatorë turistikë që ushtrojnë aktivitetin në territorin e qarkut.
Paraqita një përmbledhje të punës së deritanishme, duke u ndalur te monitorimet në terren, veprimtaria e Task-Forcës dhe sidat e evidentuara, që kërkojnë adresim të koordinuar ndërinstitucional:
- Garantimi i rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike
- Menaxhimi i mbetjeve dhe standardet higjieno-sanitare
- Kontrolli i ndotjes akustike
- Respektimi i standardeve në turizmin detar
- Menaxhimi i stacioneve të plazhit dhe zbatimi i kontratave
Në përfundim, u miratua Plani i Veprimit për sezonin turistik 2026 dhe u ngrit Task-Forca Vendore, e cila do të monitorojë zbatimin e tij në terren.


