Promovimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për “Kujdestarinë Mjedisore Bregdetare” për zonën Lumi Buna – Velipojë ishte në fokus të takimit të zhvilluar nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në kuadër të projektit “COASTRUST”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Takimi u organizua në bashkëpunim me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme konsultimi mbi prioritetet dhe masat konkrete për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, ruajtjen e peizazhit dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, ekspertë të mjedisit dhe aktorë lokalë, të cilët dhanë kontribute të vlefshme përmes ideve dhe rekomandimeve konkrete për zbatimin e planit lokal të veprimit.
Në përmbyllje, Prefekti i Qarkut Shkodër falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, angazhimin dhe bashkëpunimin në këtë nismë të rëndësishme, në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.







