Historiku

1.1 Vështrim historik

Termi Prefekturë e ka origjinën nga latinishtja prefectura, që nënkupton një Autoritet Shtetëror, Udhëheqje, Administratë Qyteti ose Njësi Territoriale. Ky term përdoret gjithashtu për të përshkruar ndërtesën ku ushtron funksionet ky autoritet.

Në periudhën e pushtimit romak, Iliriku—një rajon që përfshinte pjesën më të madhe të Ballkanit—u nda në njësi më të vogla administrative të quajtura Prefektura. Ky koncept u përdor edhe në Shqipëri përpara çlirimit të vendit, deri në vitin 1944.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 shënoi fillimin e një shteti të pavarur, megjithëse me territore të kufizuara. Krijimi i një administrate vendore funksionale u bë një domosdoshmëri urgjente për qeverinë e re.

Më 23 nëntor 1913, u hartua “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, i cili përcaktoi ndarjen e vendit në dhjetë prefektura. Në krye të çdo prefekture qëndronte prefekti, i mbështetur nga një këshill administrativ, i cili kufizonte pushtetin e tij. Si nën njësi ligjore ekzekutive u pranua nënprefektura drejtuar nga nënprefekti dhe poshtë saj u pranua krahina, e drejtuar nga krahinari.

Në Kongresin e Lushnjës u aprovuan “Bazat Kanunore të Këshillit të Lartë” dhe u pranua regjimi monarkik, por në pamundësi për të përcaktuar një “mbret”, drejtimi iu la një regjence të përbërë prej katër personash. “Bazat Kanunore” mbajtën organizimin e mëparshëm administrativ gjer në vitin 1924. Në vitin 1924 prefekturat ishin: Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra, Vlora me gjithsej 39 nënprefektura.

Në ditët e sotme, Prefektura përfaqëson një institucion shtetëror me rol mbikëqyrës mbi ligjshmërinë e veprimtarisë së Qarkut dhe organeve të tjera lokale. Në këtë mënyrë, ajo funksionon si autoriteti që zbaton dhe garanton kompetencat e deleguara nga Qeveria në nivel qarku.

1.2 Reforma Administrativo-Territoriale e Vitit 2014

Një zhvillim i rëndësishëm në organizimin administrativ të vendit ndodhi më 31 korrik 2014, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Kjo reformë solli një riorganizim të thellë të njësive vendore në të gjithë vendin.

Në bazë të kësaj reforme, Qarku Shkodër u organizua në pesë bashki:

  • Shkodër
  • Vau i Dejës
  • Malësi e Madhe
  • Pukë
  • Fushë-Arrëz

Në ndihmë të Prefektit të Qarkut Shkodër dhe administratës së tij funksionojnë dy nënprefektura:

  • Nënprefektura e Malësisë së Madhe
  • Nënprefektura e Pukës

1.3 Harta e Qarkut Shkodër

1.4 Të Dhëna Demografike

Të dhënat demografike të paraqitura më poshtë përfaqësojnë numrin e popullsisë së regjistruar në gjendjen civile për secilën prej pesë bashkive (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz), në katër momente të ndryshme kohore: 1 Janar 2022, 1 Janar 2023, 1 Janar 2024 dhe 1 Janar 2025.

Popullsia e Qarkut Shkodër

Bashkia

1 Janar 2025

1 Janar 2024

1 Janar 2023

1 Janar 2022

Shkodër

214,430

213,493

212,467

211,117

Vau i Dejës

52,614

52,520

52,321

51,994

Malësi e Madhe

56,123

56,026

55,766

55,824

Pukë

14,295

14,480

14,553

14,825

Fushë Arrëz

10,699

10,915

10,976

10,916

TOTALI

348,161

347,434

346,083

344,676