Në mbështetje të ligjit nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar, të vendimit nr. 696, datë 30.10.2019 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kufijve territorialë, hidrografikë, të baseneve ujore në Republikën e Shqiperisë dhe të qendrës së përbërjes së këshillit të secilit prej tyre”, Prefektja e Qarkut Shkodër, zj. Majlinda Angoni, rikonstituon Këshillin e Basenit Ujor Drini-Bunë.

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Basenit Ujor Drin – Bunë, zj. Majlinda Angoni, në bashkëpunim me Zyrën e Administrimit të Burimeve Ujore Drin – Bunë, Shkodër zhvilloi mbledhjen e parë të Këshillit të Basenit Ujor Drin – Bunë, ku u konfirmuan 18 anëtarët e këtij këshilli.

Në këtë mbledhje morën pjesë, anëtarë të Këshillit të Basenit Ujor, përfaqësues nga Agjencia e Mbrojtjes së Basenit Ujor si dhe përfaqësues të Zyrës së Administrimit të Basenit Ujor.

Mbledhja u zhvillua sipas rendit të ditës, hartuar nga Zyra e Administrimit të Burimeve Drin-Bunë me miratimin e Prefektes Angoni, njëkohësisht Kryetare e Këshillit të Baseneve Ujore.

z. Sead Sadiku, drejtues i Zyrës së Administrimit të Baseneve Ujore Drin – Bunë, prezantoi për të pranishmit “Planin e menaxhimit të basenit ujor Drin-Bunë”.

Në vijim, Z. Sadiku njohu anëtarët me gjithë problematikat e SH.A. Ujësjellës-Kanalizimeve që operojnë në basenin Drin-Bunë me në fokus debitë e akumuluara ndaj buxhetit të shtetit.

Gjatë takimit pjesëmarrësit patën mundësi të diskutonin mbi çështje të ndryshme ku vemendje mori dhe vështirësitë që ndeshin SH.A. Ujësjellës Kanalizime në plotësimin e dokumentacionit përkatës për tu pajisur me leje. Ndërsa një pikë tjetër e rëndësishme ishte mungesa e lejeve për përdorimin e burimeve ujore për ujitje.

“Sistemi i ujitjes nuk ka leje përdorimi në asnjë rast si dhe duhet të regjistrohen veprat e ujitjes dhe përdorimit të ujit.”- u shpreh Sadiku. Në vazhdën e diskutimeve ai evidentoi si problematike formularët e aplikimit, duke qënë se janë shumë të komplikuar, pa nënvlerësuar tarifat e aplikimit që janë shumë të larta.

Të pranishit morën 5 vendime në lidhje me cështjet e rendit të ditës të lidhura me miratimin dhe pezullimin e lejeve për përdorimin e burimeve ujore.

Në fjalën e saj, Prefektja Angoni, nënvizoi rëndësinë e bashkëveprimit ndërinstitucional në aspektin e mbrojtjes dhe kujdesit të shtuar që duhet treguar në përdorimin e burimeve ujore të Qarkut Shkodër.

Në përmbyllje të takimi, Zj. Angoni, solli në vemendje gadishmërinë që duhet të tregoj secili nga institucionet anëtare të këshillit për menaxhimin sa më efikas në përputhje dhe me legjislacinonin në fuqi dhe standartet ndërkombëtare.