Prezantim i pajisjeve, për mbrojtje dhe shpëtim nga përmbytjet, i pajisjeve të parashikimeve meteorologjike dhe sistemeve të hershme të paralajmërimit, të prokuruara në kuadër të projektit “Katastrofat nuk njohin kufinj”

Pajisjet e reja për mbrojtjen dhe shpëtimin nga përmbytjet, parashikimet meteorologjike dhe sistemet e hershme të paralajmërimit, u prezantuan sot në Shkodër, të prokuruara nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër në kuadër të zbatimit të projektit “Katastrofat nuk njohin kufinj”, për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese të institucioneve Rajonale, FNSH, MZSH, Reparti Ushtarak 1010 Vau Dejes dhe të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, të cilët në mënyrë konstante janë të angazhuara në rastet e Emergjencave Civile.

Vlera totale e pajisjeve të shpëtimit të prokuruara, e cila përbëhet nga dy tipologji të ndryshme varka gome, motorë të jashtëm, kostume dhe jelekë shpëtimi, dhe e pajisjve meteorologjike të përbëra nga dy stacione të automatizuara sinoptike, dy stacione hidrike së bashku me software-in për analizimin e të dhënave dhe paralajmërimet e hershme, është 117,340 euro. Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, 2014 – 2020.

Prezantimi i pajisjeve, u organizua në kuadër të finalizimit të projektit, në ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe synon shkëmbimin e përvojave, mendimeve, modeleve të praktikave më të mira dhe mësimeve të marra, kur bëhet fjalë për zvogëlimin e rrezikut nga katastrofat natyrore. Panairi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve dhe shërbimeve, veprimtaria e të cilëve, përfshin mbrojtjen dhe shpëtimin në rastet e emregjencave, organizata të shoqërisë civile, administrata shtetërore qëndrore dhe lokale, media, partnerë të projektit, përfaqësues së delegaconit Europian në Shqipëri, Sekretariatin Teknik të Programeve IPA, etj.

Projekti “Katastrofat nuk njohin kufij”, i zbatuar në Shqipëri, në Qarkun Shkodër, dhe Mal të Zi, synon të forcojë kapacitet e institucioneve dhe shërbimeve, aktiviteti i të cilëve përfshin mbrojtjen dhe shpëtimin, për të zvogëluar rrezikun e katastrofave, me një theks në mbrojtjen nga përmbytjet, ashtu sikurse informimin e popullatës në zonat me rrezikshmëri përmbytjeje, nxënësit në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, për rreziqet nga të cilat mund të kanosen. Aktivitetet kryesore të këtij projekti dy-vjeçar, i cili filloi në  Prill të vitit 2018, dhe që po zbatohet nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër në partneritet me FORS Montenegro (Fondacioni për Zhvillimin e Veriut të Malit të Zi) dhe Drejtorinë për Menaxhimin e Situatave të Emergjencës pranë Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, përfshijnë prokurimin e pajisjeve parashikuese hidro-meteorologjike, atyre të shpëtimit, trajnime për përfaqësuesit e institucioneve dhe shërbimeve që merren me mbrojtjen dhe shpëtimin dhe parashikimet, ushtrime demonstruese ndërkufitare, përditësim i databazës së të dhënave për përmbytjet në rajonin e Liqenit të Shkodres, seminar mbi modelet e praktikave të mira kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga përmbytjet, fushatë ndërgjegjësuese për të informuar popullatën për rreziqet e përmbytjeve, masat parandaluese dhe aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, etj.

Gjatë panairit, u dorëzuan gjithashtu, disa çmime simbolike, nxënësve fitues të konkursit të vizatimit me temë mbi fatkeqësite natyrore, të organizuar në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese, punime të cilat ishin të ekspozuara për pjesmarrësit.