RESCUE 3 – Trajnim me skenar kërkim-shpëtimin në raste përmbytjeje, për trupat operacionale të shpëtimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi

Në kuadër të projektit “Katastrofat nuk njohin kufinj”, në rajonin e Shkodërs, me datë 05 Prill 2019, u organizua një ushtrim demostrativ ndërkufitar, për mbrojtjen dhe shpëtimin nga përmbytjet, duke mundësuar testimin dhe demonstrimin e gatishmërisë për ndërhyrjet në raste të emergjencave të 25 pjesëmarrësve nga Shqipëria dhe Mali i Zi, në ujëra të rrëmbyeshëm, sipas standarteve të shpëtimit “Rescue3”.

 

Ushtrimit demostrativ, i parapriu një trajnim katër ditor i shpëtimtarëve nga këto dy vende, i fokusuar po ashtu në këto tematika, gjatë së cilës pjesëmarrësit patën mundësinë të përditësojne dhe të njihen me metodat më bashkëkohore të mbrojtjes dhe shpëtimit në ujërat e rrëmbyeshëm nga instruktorë të licencuar nga “Shërbimi i Shpëtimit Malor” të Kroacisë.

 

Pjesëmarrësit në këtë trajnim si, FNSH, PMZ Shkodër, PMZ Vau Dejës dhe Forcat Speciale të Ushtrisë, zotëruan kërkesat dhe aftësitë e kërkuara nga ky nivel trajnimi, të cilat u vlerësuan nga vetë instruktorët, si dhe u pajisen me çertifikata të njohura ndërkombëtarisht të programit “Rescue 3”

I gjithë programi u asistua nga përfaqësues të të dy anëve të kufirit. Të pranishëm gjatë trajnimit ishin gjithashtu Prefekti i Qarkut Shkodër, Z.Valdrin Pjetri, titullarët e institucioneve pjesmarrëse në trajnim, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës Shkodër, Z.Pllum Dani, si dhe përfaqësues të FORS Montenegro në rolin e partnerit lider, të cilët , jo vetëm vlerësuan nivelin e trajnimit, por theksuan që ky është hapi i parë drejt një bashkëpunimi reciprok ndërmjet institucioneve homologe dhe përgatitjes së një protokolli të përbashkët për ndërhyrjet në raste emergjence.

 

 

Projekti “Katastrofat nuk njohin kufinj” ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve dhe shërbimeve, nga Shqipëria dhe Mali i Zi, të angazhuara në mbrojtje dhe shpëtim si dhe në reduktimin e rrezikut të fatkeqësive, me fokustë veçantë mbrojtjen nga përmbytjet, njëkohësisht informimin e popullatës për rreziqet nga përmbytjet.

Projekti dy-vjeçar, zbatimi i të cilit ka filluar më 17 prill të këtij viti, në partneritet midis Shqipërise dhe Mal të Zi, ndër aktivitetet kryesore parashikon prokurimin e pajisjeve për menaxhimin e përmbytjeve dhe parashikimin e kushteve hidrometeorologjike, trajnime për përfaqësuesit e institucioneve dhe shërbimeve të angazhuara  në mbrojtje dhe shpëtim dhe menaxhimin në rastet e emergjencave, demonstrim ndërkufitar, përditësimin e databazës së të dhënave të përmbytjeve në rajonin e liqenit të Shkodrës, seminare mbi modelet e praktikave më të mira në situatat e përmbytjeve, fushata informimin dhe ndërgjegjësimi të komuniteteve lokale, me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, masat parandaluese, aktiviteteve për mbrojtje dhe shpëtim, etj.

Projekti zbatohet në Shqipëri, në rajonin e Shkodrës dhe në Mal të Zi në qytetet Podgoricë, Bar dhe Ulqin.

Projekti zbatohet në partneritet midis FORS Montenegro, në rolin e partnerit lider, Prefektra e Qarkut Shkodër dhe Ministra e Brendshme e Malit të Zi, Drejtoria e Situatave të Emergjencës.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA 2 Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020.