LAJME

Takim pune i Ministrit të Brendshëm z.Sander Lleshaj në qarkun Shkoder

Ministri i  Brendshëm Sandër Lleshaj,  ka zhvilluar në Qarkun Shkodër një takim pune ku morën pjesë Prefekti i Qarkut Shkodër, drejtues të njësive vendore, Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, institucioneve të varësisë, inspektoriate etj.

I.
Jam i informuar për problemet që ka siguria dhe rendi në qarkun e Shkodrës. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë qenë në gjendje të japin disa mesazhe të qarta, të angazhimit të shtetit shqiptar dhe qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar. Shkodra thjesht e ka të pamundur të jetë një qark, i cili nuk është në krye të vendit në fushën e sigurisë. Shkodra është një vend i kulturës, i cili nuk bashkëjeton dhe nuk mund të bashkëjetojë me krimin.

II.
Në fillim të muajit dhjetor 2018, ishin rreth 300 mijë shqiptarë, të cilët nuk kanë pasur asnjë adresë të regjistruar në gjendjen civile. Pas një pune intensive që është bërë, ky numër ka zbritur tashmë në rreth 40 mijë, pra është bërë një punë e madhe që tregon dy gjëra: tregon se kjo çështje nuk ka patur vëmendjen e duhur. Sigurisht detyra për të gjithë punonjësit e Gjendje Civile është që kjo shifër të shkojë në zero dhe çdo shqiptar duhet të ketë një adresë të vlefshme të saktë nga regjistri i Gjendjes Civile.

III.
Për Ministrinë e Brendshme është një prioritet shumë i rëndësishëm krijimi i të gjitha kushteve, i mbështetjes së domosdoshme për krijimin e infrastrukturës së duhur që zgjedhjet të shkojnë ashtu siç duhet. Pra të zhvillohen në qetësi, të zhvillohen në parametrat që kërkon ligji dhe të zhvillohen me dinjitetin e duhur, atë dinjitet që meritojnë zgjedhjet e një vendi që pretendon të afrohet në strukturat e Bashkimit Europian së shpejti, që është shpresa dhe objektivi ynë kombëtar më i rëndësishëm.

IV.
Turizmi po bëhet një nga burimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe për qarkun e Shkodrës mbetet po aq i rëndësishëm. Qarku i Shkodrës ka potenciale të jashtëzakonshme turistike. Rritja e flukseve turistike drejt Shqipërisë, po dhe drejt Shkodrës ndjek një kurbë eksponenciale, na duhet që këtë fluks ta mirëmbajmë përmes angazhimit tonë.

V.
Një gjë tjetër në të cilën duhet ndalur shkurtimisht ka të bëjë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta të reja identiteti. Ministria e Brendshme po punon në dy drejtime të rëndësishme: e para, po punon së bashku me kontraktorin i cili prodhon kartat e identitetit për të rritur kapacitetet e aplikimit. Por nga ana tjetër, në mënyrë që të ulim presionin e aplikimeve, Qeveria do të miratojë së shpejti ligjin, i cili e zgjat vlefshmërinë e kartave të identitetit të qytetarëve shqiptarë, atyre kartave që mbarojnë në vitin 2019, e zgjat deri në 31 dhjetor në mënyrë që të ulet sa të jetë e mundur presioni në zyrat e aplikimit

VI.
Jam këtu edhe për të shprehur angazhimin e plotë për të vazhduar projektet e rëndësishme, siç është rikonstruksioni i rrugës Velipojë, ai i Harkut të Bërdicës, pastaj segmente të tjera rrugore që janë në vazhdim, rikonstruksionit të Shirokës, vazhdimi i bypass-it të Shkodrës dhe projekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore, të cilat janë në proces e sipër.

VII.
Qarku i Shkodrës për shkak të natyrës aq sa të bekuar me resurse, aq është edhe i sfiduar nga natyra shpesh herë për shkak të pranisë së madhe të ujit. Dihet shumë mirë që emergjencat civile ose parandalohen me kosto optimale ose përballohen me kosto maksimale dhe kjo është zgjedhja që - ose do t’i dalësh përpara dhe të paguash më pak, ose do t’i lësh të ndodhin dhe do të paguash shumëfish. Dhe në këtë drejtim merr rëndësi të madhe bashkëpunimi i të gjitha strukturave në mënyrë që të paktën mbrojtjen përballë fuqive të mëdha të natyrës ta bëjmë së bashku, të koordinuar dhe në bashkëpunim të plotë, për të bërë të mundur që të ulet kostoja e këtij problemi, i cili prej kohësh e ka sfiduar qytetin, por edhe qarkun e Shkodrës në tërësi.

Shpërndaje: